
“Agriculture Days” ndez Lushnjen: Bujqësia në qendër të vëmendjes në panairin më tëmadh me pjesëmarrje nga Shqipëria, Greqia, Gjermania dhe Hollanda
17 Prill, 2025Panairi “Ditët e Bujqësisë” bën bashkë gjigandët globalë të industrisë

Panairi “Ditët e Bujqësisë 2025” po merr një tjetër përmasë këtë vit: kompanitë më të mëdha ndërkombëtare të sektorit po vijnë për herë të parë në Shqipëri, duke konfirmuar rëndësinë strategjike që ka ky event për bujqësinë kombëtare dhe më gjerë.
Në edicionin e tij të katërt, panairi i organizuar nga Iceberg Exhibitions në datat 23-25 Prill, rikthehet në Lushnje – jo rastësisht e cilësuar si zemra e bujqësisë shqiptare. I nisur si një projekt ambicioz jashtë kontureve klasike të eventeve kaq të mëdha të organizuara në Tiranë, ky panair po shndërrohet në një pikë takimi serioze për profesionistët, investitorët dhe inovatorët e fushës.
Nëpërmjet NL Lounge, organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë, nëntë kompani hollandeze do të prezantohen në këtë edicion, pesë prej të cilave për herë të parë në tregun shqiptar. Prania e tyre është një sinjal i fortë për potencialin që Shqipëria ofron në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë.
De Heus – lider botëror, prodhues ndërkombëtar i ushqimeve për kafshë, premikseve dhe koncentrateve, ofron zgjidhje ushqyese që garantojnë shëndet maksimal të kafshëve dhe performancë optimale. Me fokus te zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit bujqësor, kompania mbështet fermerët në çdo hallkë të zinxhirit të furnizimit.
Trouw Nutrition – me misionin Feed the Future, kompania nuk ofron vetëm zgjidhje ushqimore, por edhe teknologji dhe këshillim të nivelit të lartë për të ndihmuar fermerët të prodhojnë më shumë ushqim në mënyrë të qëndrueshme.
Holland Dairy Machines – të specializuar në makineritë e mjeljes, me mbi 20 vite përvojë në blerjen dhe shitjen e pajisjeve të reja dhe të përdorura, ofron zgjidhje të qëndrueshme ekonomike dhe efikase për fermerët në të gjithë botën.
Intracare – kompani e njohur për produktet moderne dhe të sigurta për kujdesin e kafshëve, ofron suplemente dhe alternativa pa antibiotikë që forcojnë mirëqenien e blegtorisë.
MS Schippers –Me më shumë se 500 punonjës dhe aktivitete në mbi 40 vende, Schippers Group fuqizon fermat për të përmirësuar higjienën, shëndetin dhe produktivitetin.
Marka të njohura nga Holanda si Van Iperen, përmes partnerit dhe mbështetësit zyrtar të panairit për të dytin vit radhazi, Koja shpk, do të jenë pjesë e edicionit të këtij viti në Lushnje. Gjithashtu, marka të tjera si ABA, Koppert dhe organizata holandeze Food Bank Albania do të sjellin përvoja dhe ekspertizë në fushën e zhvillimit bujqësor. Nga Gjermania vjen kompania Wipro Gateway, e specializuar në blegtori, ndërsa Greqia përfaqësohet me markat e njohura të makinerive bujqësore New Holland, Case, Goldoni dhe Lovol.
Një event që prodhon përmbajtje cilësore
Për nga përmasat, pjesëmarrja dhe rëndësia, “Ditët e Bujqësisë 2025” nuk është më thjesht një panair – por një platformë ndërkombëtare bashkëpunimi, një derë e hapur drejt bashkëpunimeve serioze dhe transferimit të njohurive moderne për fermerët shqiptarë.
Mos e humbisni! Panairi hapet për publikun në date 23 prill, ora 09:00 në sheshin përpara Bashkisë Lushnje me përshëndetjen e Ambasadorit të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë Z. Reinout Vos dhe Drejtorit për Bashkëpunimin për Zhvillim në Ambasadën Gjermane Z. Iven Schad.