
Çfarë e bën një panair të suksesshëm? Të gjitha arsyet përse asnjë profesionist i fushës nuk duhet ta humbasë Ditët e Bujqësisë 2023
14 Prill, 2023
Zhurma e krijuar është e vërtetë: Përmbledhja e Panairit “Ditët e Bujqësisë”
9 Maj, 2023
Organizata Botërore e Qëndrueshmërisë do të jetë pjesë e Panairit “Ditët e Bujqësisë 2023”, Panairit Ndërkombëtar për Bujqësinë e Qëndrueshme, Blegtorinë dhe Peshkimin në datat 27-28-29 Prill në Lushnje, në sallën e ngritur përpara Bashkisë Lushnje. Organizata Botërore e Qëndrueshmërisë u themelua për të promovuar qëndrueshmërinë si një zgjidhje për ruajtjen e burimeve të planetit, rivendosjen e habitateve kritike dhe mbrojtjen e specieve të rrezikuara. Organizata Ndërkombëtare, selia e së cilës ndodhet në Milano, Itali, është përgjegjëse për programet e çertifikimit të qëndrueshmërisë Miku i Detit dhe Miku i Tokës. Ajo bashkëpunon me sektorin ekonomik global për të zgjeruar qëndrueshmërinë, siç është përcaktuar nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.
Agro-ushqimi është një nga sektorët kryesorë të vendeve të Ballkanit, veçanërisht të Shqipërisë. Mbi 40% e sipërfaqes së vendit i dedikohet bujqësisë, e cila gjeneron afërsisht 23% të PBB-së, duke siguruar 43% të vendeve të punës. Kështu, “Marrëveshja e Gjelbër” evropiane është jashtëzakonisht e rëndësishme për Shqipërinë, duke synuar një rritje të re me fokus në qëndrueshmërinë mjedisore dhe sociale.
Panairi “Ditët e Bujqësisë 2023”, i cili do të mbahet nga data 27 deri më 29 prill në Lushnjë, në zemër të bujqësisë shqiptare, do të mirëpresë aktorët kryesorë të sektorit të cilët do të organizojnë konferenca, seminare, workshope lidhur me temën e bujqësisë dhe qëndrueshmërisë.
Sesioni “Axhenda e Qëndrueshmërisë për Bujqësinë dhe Ushqimin” do të mbahet më 27 prill, pas ceremonisë së hapjes që do të nderohet me pjesëmarrjen e Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Frida Krifca.
Paolo Bray, Themelues dhe Drejtor i Organizatës Botërore të Qëndrueshmërisë (WSO), do të flasë në orën 14:00 mbi rëndësinë e bujqësisë, peshkimit dhe turizmit të qëndrueshëm për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
“Prania e WSO në panairin e madh tregtar të bujqësisë në Shqipëri, konfirmon rëndësinë e partneritetit midis Italisë dhe Shqipërisë, të ratifikuar së fundmi në Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar nga Ministrat e Bujqësisë Shqiptare dhe Italiane. – Komenton Bray. “Bujqësia dhe prodhimet shqiptare të detit tashmë kanë aplikuar dhe kanë marrë certifikatat e qëndrueshmërisë Miku i Tokës dhe Miku i Detit. Mezi presim të takojmë kompani të reja nga zona e Ballkanit në Stendën nr. 24 të WSO-së në panairin për të hyrë së bashku në rrugën drejt prodhimit dhe çertifikimit të qëndrueshëm.”